Ekziston një lidhje shumë e veçantë e Austrisë me Veriun e Shqipërise, dhe veçanërisht me Mirditën të cilën ata kanë përzgjedhur ta ndihmojnë dhe ta përkrahin herë pas here. Nuk ishte e paqëllimshme edhe përzgjedhja e një shoqate në Rrëshen, e cila asistonte fëmijët në nevojë, me ushqim, veshmbathje dhe edukim. Stafi i kompanisë tonë mblodhi disa kontribute, secili sipas mundësisë së tij, dhe me shumën e mbledhur arriti të organizojë një ditë ndryshe për këta fëmijë.

Dita që kishim përcaktuar për këtë udhëtim nuk qëlloi me mot dhe aq të mirë. Një autobuz luksoz vajti që herët në qytetin e Rrëshenit, për të marrë këta fëmijë. Udhëtimi ishte i këndshëm dhe i rehatshëm, dhe fëmijët luajtën gjatë gjithë kohës me njëri tjetrin. Duke qënë se në momentin që mbërritën në Tiranë, moti u përkeqësua dhe filloi një shi i rrëmbyer, shëtitjen në këmbë që kishim planifikuar ta bënim në qëndër të Tiranës, e zevendësuam me shëtitje me autobus dhe më pas një vizitë në një lokal të njohur në periferi të Tiranës i cili ka lojra për fëmijët e të gjitha moshave. Fëmijët u zbavitën shumë në këtë lokal me videogames dhe aktivitete me njëri tjetrin.

Ishim në pritje të diellit, pasi hapi tjetër ishte vizita në Malin e Dajtit, dhe ai nuk vonoi të dilte. Sigurisht që mund të shkonim dhe me autobus deri atje, por ne donim ta bënim këtë eksperiencë të paharrueshme. Falë bashkëpunimit të kompanisë tonë me Dajti Ekspres, arritëm të siguronim ngjitjen me teleferik deri në malin e Dajtit. Dielli shkëlqente dhe rrugës na shoqëroi ylberi. Fëmijët shëtitën dhe luajtën, por dhe u lodhën, prandaj asnjëri nuk i tha Jo picës së në restorantin e Dajti Ekspres, të ofruar me shumë dashuri nga stafi ynë.

Fëmijët morën energji të reja dhe filluan përsëri lojën, por për fat të keq na u desh ti ndërpresim pasi kishim dhe një suprizë të fundit për ta. Do shkonim ne kinema për ta mbyllur këtë ditë të bukur.

Jemi të sigurt që kjo ditë ka mbetur e skalitur në mendjen e këtyre fëmijëve. Për një pjesë të mirë të fëmijëve këto janë aktivitete të zakonshme të një fundjave, por shprehja e habisë së tyre, kur shikonin për herë të pare videogames, teleferik, kinema apo dhe picë, nuk kishte çmim.